Piczo

Log in!
Stay Signed In
Do you want to access your site more quickly on this computer? Check this box, and your username and password will be remembered for two weeks. Click logout to turn this off.

Stay Safe
Do not check this box if you are using a public computer. You don't want anyone seeing your personal info or messing with your site.
Ok, I got it
Back To Home Page
historia e shqiptareve
Shqiperia ne Shek. XI-XII
1. Zhvillimi i marrëdhënieve feudale. Fisnikët shqiptarë

Kapërcimi i mijëvjeçarit të parë u karakterizua nga ndryshime të thella në strukturat ekonomike e sociale të shoqërisë shqiptare. Si rezultat i një procesi që vazhdonte prej kohësh, në shek.XI ishte krijuar një klasë pronarësh të mëdhenj (dinatët), që përbëhej nga pjesëtarë të aristrokacisë civile dhe të klerit. Ndërkohë, në krahun tjetër qe shtuar masa e pronarëve të vegjël dhe e bujqëve ushtarë (stratiotë), që për njëren ose për tjetrën arsye i humbnin pronat e tyre dhe detyroheshin të vendoseshin në pronat e dinatëve e t’i punonin ato si qiramarrës (mortites) ose si punëtorë me mëditje (mistotes). Procesi i fedualizmit u përshpejtua së tepërmi me zbatimin e institucionit të pronjës nga shteti bizantin. Pronja përfaqësonte një numër të caktuar ekonomish fshatare që perandori bizantin me anë të një diplome të posaçme (krysobullë) ia jepte një personi për përdorim.Zotëruesi i pronjës kishte të drejtë të mbante për vete një pjesë të detyrimeve që bujqit e pronjës së tij më përpara ia dotëzonin shtetit. Nga ana e tij, pronjari ishte i detyruar që, për sa kohë mbante pronjën, të kryente bashkë me trupën e tij shërbim ushtarak për perandorin. Në Shqipëri, format e para të pronjës dëshmohen që në fillimet e shek.XI. Dokumente të tjera të mëvonshme vërtetojnë se marrëdhëniet feudale kishin përparuar në zonat bujqësore të vendit, në fushën bregdetare perëndimore si dhe në krahinën e Devollit, në atë të Dibrës, të Kosovës etj. Këtu përmenden gjithnjë e më shpesh bujarë nga familjet Skurra, Arianiti, Muzaka, Vrana etj., që ngjitënshkallët më të larta të karrierës ushtarake në provincë e në qendër. Kështu, aty nga viti 1001 patrici David Arianiti ishte caktuar strateg i Selanikut. Një i afërm i tij, Kostandin Arianiti, me titullin magistër, rreth vitit 1050 kryente detyrën e komandantit të provincave perëndimore, kurse durrsaku Gjon Vrana, më 1185, ishte dukë i themës së Durrësit. Një bujar nga Muzakajt e Oparit aty nga viti 1080 bënte pjesë në rrethin e komandantëve më të besuar të perandorit bizantin Aleski I Komnen. Perandorët bizantinë u dhanë bujarëve shqiptarë pronja, privilgje, si edhe tituj nga më të lakmueshmit. Ndonjë familje shqiptare, si p.sh., jo e princërve të Arbirit, në shek.XIII, e Skurrajve, e Topijave dhe e Shpatajve të Epirit, në shek.XIII-XV, arritën të krijonin edh lidhje familjare me dinastitë perandorike bizantine si dhe me dinastitë perëndimore. Zhvillimi i marrëdhënieve feudale u shoqërua edhe me tronditje të mëdha sociale. Gjatë gjithë shek.XI shqiptarët morën pjesë në një varg kryengritjesh që drejtoheshin kundër politikës fiskale të shtetit bizantin. Herë-herë këto lëvizje merrnin karakter të hapur politik. Kështu, më 1043 shqiptarët u bashkuan me kryengritjen e strategut bizantin të Sicilisë, Gjergj Maniakut.

2. Normanët dhe kryqëzatat në Shqipëri

Në gjysmën e dytë të shek.XI pozita e jashtme e Shqipërisë pësoi një ndryshim të madh në varësi me ngjarjet që po zhvilloheshin në Perëndim, posaçërisht në Itali. Në vitin 1071, nën goditjen e nomanëve, Perandoria Bizantine u detyrua të braktiste përgjithmonë zotërimet e saj në Sicili e në Italinë e Jugut. Nën drejtimin e prijësit të tyre Robert Guiskardit, normanët krijuan aty një mbretëri të fortë që zbatoi menjëherë politikën e pushtimeve në Lindje. Shqipëria, që përbënte kufirin perëndimor të Perandorisë Bizantine, merrte për normanët e Sicilisë funksionin e një kryeure ekspansionin e tyre në Ballkanin bizantin. Në pranverën e vitit 1081 ushtritë normane, të komanduara nga Robert Guiskardi dhe djali i tij Boemundi, zbarkuan në bregdetin shqiptar dhe pushtuan njërën pas tjetrës Vlorën, Kaninën, Orikumin, Bylisin e Butrintin. Prej këndej, normanët iu drejtuan Durrësit dhe e rrethuan atë nga toka dhe nga deti. Në tetor të atij viti mbërriti në Shqipëri vetë perandori bizantin Aleksi I Komnen, i cili i sulmoi forcat normane në një vend të hapur afër Durrësit. Bizantinët pësuan një disfatë të rëndë. Perandori ALeks Komneni, së bashku me dukën e Durrësit e me mbeturinat e ushtrisë së tij, u tërhoq në drejtim të Ohrit, ndërkohë që mbrojtja e ushtrisë së tij, u tërhoq në drejtim të Ohrit, ndërkohë që mbrojtja e Durrësit iu besua komandantit shqiptar të Arbanonit (treva midis Durrësit, Dibrës e Ohrit). Por, në shkurt të vitit 1082, qyteti ra në dorë të normanëve, si rezultat i tradhtisë së kolonëve venecianë që ndodheshin në qytet. Paskëtaj ushtritë normane u lëshuan në drejtim të lindjes, por sa më shumë përparonin në thellësi të vendit, aq më tepër dobësohej forca e tyre goditëse dhe aq më shumë fuqizohej qëndresa e ushtrive bizantine të ndihmuara nga popullsia vendëse. Kështu, në vitin 1084, Robert Guiskardi ishte i detyruar të tërhiqte trupat e tij nga Shqipëria. Më 1107, normanët e Iztalisë së Jugut, nën komandën e Boemindit, pushtuan përsëri bregdetin shqiptar. Në atë rast krahina e Arbanotit u bë vatra kryesore e qendresës. Normanët edhe kësaj radhe u tërhoqën. Rreth një shekull pas ekspeditës së tyre të parë, normanët bënë përpjekjen e fundit për të pushtuar Perandorinë Bizantine (1185). Atë kohë marrëdhëniet e shqiptarëve me Bizantin ishin në krizë të thellë dhe fushata e normanëve zhvillohej në një terren të favorshëm. Qysh përpara fillimit të ekspeditës, banorët e Vajenetisë (Çamërisë) kishin ngritur krye kundër perandorit bizantin. I pakënaqur ndaj këtij të fundit, strategu shqiptar i Durrësit, Gjon Vrana, ia dorëzoi pa luftë qytetin mbretit norman Guljelmi II. Të njëjtën gjë bënë me Selanikun luftëtarët nga Kunavia e Arbanotit, që qenë caktuar për mbrojtjen e tij. Fushata e vitit 1185, ndonëse përparoi më shumë se të tjerat, në fund të fundit përfundoi edhe ajo me tëheqjen e forcave normane nga Shqipëria. Por me atë rast u pa qartë se pushteti bizantin në Shqipëri ishte dobësuar si asnjëherë.

3. Gjendja kishtare në Shqipëri

Që nga shek.VIII, të gjtiha peshkopatat shqiptare u vunë në varësi të Patrikanës të Kostandinopojës. Megjithatë, disa nga këto i ruajtën marrëdhëniet me Romën. Kjo vlen në mënyrë të veçantë për peshkopatat e Dioklesë. Në kuadrin e përpjekjeve të tyre për pavarësi nga Bizanti, princërit e Dioklesë i përkrahën përpjekjet e kishës së atjeshme për t'u shkëputur nga Kostndinopoja e për t'u lidhur me Papatin. Në këtë mënyrë, ndarja përfundimtare e kishave e vitit 1054, në kishë katolike të Perëndimit dhe në kishë ortodokse të Lindjes, i gjeti peshkopatat diokleate të Tivarit, të Ulqinit, të Shkodrës, të Pultit, të Drishit të lidhura administrativisht me Papatin. Selitë peshkopale në fjlaë u vunë nën varësinë e Tivarit, që u ngrit në rangun e kryepeshkopatës. Duke u nisur nga Dioklea, riti katolik filloi të përhapej edhe ndër treva të tjera që tradicionalisht kishin qenë të lidhura me kishën e Kostandinopojës. Në gjysmën e dytë të shek.XII rezulton se edhe Peshkopata e Arbrit (Arbnotit) kishte kaluar me papën. Riti katolik u përhap edhe në viset e Dardanisë së vjetër (Kosovë e Maqedoni Veriperëndimore), që deri në atë kohë kishin qenë në varësi të kryepeshkopatës së fuqishme bizantine-ortodokse të Ohrit. Duke filluar nga viti 1204 aty dëshmohet prania e kishave katolike-romane si në Prizren, në Shkup, në Graçanicë, në Trepçë, në Novobërde etj. Përhapja e ritit katolik në Kosovë e në treva të tjera veriore shqiptare është lidhur me pushtimin e tyre në atë kohë nga ana e shtetit serb të Rashës. Lëvizja fetare mori një karakter të theksuar kombëtar. Kjo qe arsyeja që shteti dhe kisha serbe ndërmorën një luftë të egër për t'i shkëputur shqiptarët nga "herezia katolike" e për t'i detyruar ata të futeshin e të ripagëzoheshin në kishën ortodokëse serbe. Ndonëse në Veri arriti suksese të rëndësishme, katolicizmi nuk mundi ta shtrinte ndikimin e vet në viset jugore shqiptare. Përpjekjet e Papatit në këtë drejtim nuk mundën t'i rrezikonin asnjëherë seriozisht pozitat e kishës së Kostandinopojës. Përveç kësaj u krijua një zonë katolike në veri dhe një tjetër ortodokse në jug. Midis tyre, në Shqipërinë e Mesme (Arbanon) u përvijua një trevë, që në pikëpamje kishtare mbeti e përcaktuar deri në kohën e pushtimit osman.